Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e dymbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Drenica, Igball Jasharit, i cili pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij për 80 minuta të ndeshjes.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje të Enver Prapashtica, Besim Slishani dhe Bujar Asllani.
Pasi mori këtë çmim, Jashari u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Ndeshjen e kemi përgatitur mirë, edhe pse kemi pasur një orar shumë të ngjeshur. Gjatë javës kemi zhvilluar dy ndeshje, nga të cilat kemi arkëtuar 4 pikë që janë shumë të nevojshme për ekipin tonë”.
“Nga boshti i ekipit të vitit të kaluar kemi qenë vetëm 5 lojtarë, dhe ka qenë e vështirë në fillim komponimi i ekipit, por duket se e kemi gjetur formën tonë dhe tashmë jemi mirë. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe marrëdhëniet me trajnerin i kemi shumë të mira. Për mua është privilegj të shpallem lojtari më i mirë i javës, dhe kjo do të jetë një shtytje që të punoj akoma edhe më shumë”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
