Ikja e të dënuarit nga Dubrava: Policia ia mësynë shtëpisë ku dyshohej se ndodhej, pengohen nga familjari i tij

Arratisja e të burgosurit Kujtim Blakqori nga Burgu i Dubravës, i cili është dënuar me 3 vjet burgim, dënim ky që do të përfundonte vitin e ardhshëm ka aktivizuar Policinë. Kërkimet për të rënë në gjurmët e tij kanë filluar, por njësitet policore kanë hasur në rezistencë kur zbarkuan në shtëpinë e familjes së tij.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë zbatimit të planit për kapjen e Blakqorit, Policia ia ka mësyrë disa lokacioneve në Podujevë, në mesin e të cilave edhe një shtëpie në rrugën “Ilir Konushevci”.

Sipas informacioneve të para, zyrtarët policorë janë penguar dhe kërcënuar në momentin që kanë tentuar të kryejnë kontroll në shtëpinë ku dyshohej se ndodhej i dënuari Blakqori.

Një familjar i tij, i cili dyshohet për këtë rast rezistoi dhe shpërfilli urdhrat e Policisë, me ç’rast për pasojë është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Ndryshe, i dënuari Kujtim Blakqori ka arritur të ikë nga qendra korrektuese gjatë kohës kur ishte caktuar që t’i ruajë bagëtitë.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Related Articles