Provokimet për fenë eskalojnë në përleshje: Rrahje mes të rinjve te “HIB” në Ferizaj

Provokimet për fenë eskalojnë në përleshje: Rrahje mes të rinjve te “HIB” në Ferizaj

Lokalet e natës, diskotekat e pompat e derivateve qëfunksionojnë edhe pas mesnate shpeshherë kanë qenë vendet ku mes të rinjve kanë shpërthyer konfliktet, të cilat për pasojë kanë eskaluar në përleshje brutale. Raste të tilla janë mjaft të shpeshta në vendin tonë, ku fatkeqësisht përdoren edhe mjetet e mprehta e armët e zjarrit, që mbahen ilegalisht.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate, te restoranti “Hib Petrol” në fshatin Bibaj në Ferizaj, ku pesë persona janë përfshirë në një rrahje, pas një debati që kanë pasur mes vete.

Sinjalizues të Sinjalit që kanë qenë në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur incidenti kanë bërë me dije se i dyshuari kryesor për këtë rast është E.Ramadani, i cili është kapur me të dyshuarit e tjerë pas disa ngacmimeve e provokimeve që ka lëshuar ndaj tyre lidhur me fenë.

Debati mes tyre dyshohet se ka vazhduar më pas jashtë restorantit, ku Ramadani ka sulmuar të dyshuarin tjetër K.Ballazhi, e më pas janë përfshirë edhe të dyshuarit e tjerë, të cilët i kanë dalë në krah këtij të fundit.

Sipas sinjalizuesve, përleshja nuk mbaroi me kaq, pasi i dyshuari Ramadani ka vazhduar me provokimet e njëjta në baza fetare, derisa gjithçka eskaloi edhe në përdorimin e mjeteve të mprehta e të forta.

Fillimisht i dyshuari Ramadani është hedhur në sulm me thikë, e më pas është kthyer edhe i dyshuari tjetër Ballazhi, i cili e ka goditur të njëjtin me një mjet të fortë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Posa rasti është denoncuar, Policia ka arritur të intervenojë në vendin e ngjarjes, ku janë mbledhur informacionet e para dhe më pas është siguruar edhe prezenca e personave të përfshirë në rast.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari kryesor të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij e të dyshuarve të tjerë të iniciohet rasti.

Related Articles