Nuk mungoi në thuajse asnjë përvjetor.
As kur ardhjen ia pamundësoi pandemia. E as kur ish-krerët shtetërorë nuk e morën për homazhe.
Por ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë William Walker mori pjesë edhe këtë 15 janar kur po shënohet 25 vjetori i masakrës së Reçakut.
88 vjeçari, që këtë herë erdhi me shkop mbështetës, e i cili një ditë pas masakrës nuk nguroi ta quajë krim kundër njerëzimit, tha se ardhja në Reçak është çdoherë emocionale.
Ky është i dashur edhe për më të vegjlit të cilët i dhurojnë edhe lule.
E pasi bëri homazhe tek martirët, shkoi në akademinë përkujtimore për fjalimin e të cilit, reçakasit duartrokitën e u zgjuan në këmbë.
Për amerikanin, ky fshat i Shtimës do të jetë i ngulitur në memorien e tij.
Për William Walker, në afërsi të kompleksit memorial në Reçak, u pat ndërtuar edhe një shtatore.