Kosova ka shënuar fitore të thellë ndaj Qipros në kuadër të Grupit 3 në Ligën C në Ligën e Kombeve.
“Dardanët” mbrëmë triumfuan me rezultatin 5-1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, shkruan Gazeta Enigma.
Në këtë ballafaqim, selektori i Kosovës, Alain Giresse vendosi që të aktivizojë edhe dy futbollistët e Superligës, Ilir Krasniqi (KF Llapi) dhe Lindon Emërllahu (FC Ballkani).
Gazeta Enigma e ka kontaktuar Ilir Krasniqin i cili ka folur për ndjenjat e tij në debutimin historik.
“Ndjenja e debutimit të pare për ekipin e Kombëtares ishte shumë e veçantë. Realizimi i një ëndrre që nga fëmijëria të jem pjesë e kombëtares. Ndihesha shumë i lumtur, krenar dhe kisha nderin që të jem pjesë e Kosovës A. Uroj që ta kenë shumë lojtarë mundësinë ta përjetojnë këtë ndjenjë”, tha Krasniqi.
Futbollisti i talentuar i Llapit ka theksuar se tifozët “Dardanët” japin energji pozitive dhe se ju premton më të mirën.
“Tifozëve tanë ‘Dardanëve’ që na mbushin gjithmonë më energji pozitive ju premtoj që sa herë të kem mundësi do jap më të mirën time për sukseset e Kombëtares. Festofshim gjithmonë”, përfundoi Krasniqi.
Kujtojmë që Ilir Krasniqi është futbollist kyç te skuadra e Llapit dhe i padiktueshëm në formacionin bazë të llapjanëve.
/Gazeta Enigma/