Ish – prokurorja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh, në një konferencë të mbajtur sot, shpalosi detaje për procedurën hetimore që kishte iniciuar ndaj Ilir Tolajt, ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilin tha se e kishte përgjuar me autorizim të gjykatës, raporton GazetaEnigma.
Bamieh u shpreh se rasti i ish – sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, ishte i ngarkuar tek një prokuror gjerman, ku pas tij ajo është marë me rastin.
“Unë vazhdova që të kryejë detyrat e mia dhe detyra tjetër ishte që ta ndjek të dyshuarin, zyrtarin e Ministrisë së Shëndetësisë, z. Ilir Tolaj. Ky rast së pari ishte i ngarkuar tek një prokuror gjerman, i cili e kreu misionin dhe unë e mora rastin”, tregoi Bamieh.
Bamieh deklaroi se nga përgjimet zbuloi se gjyqtari i rastit të Tolajt po takohej me ndërmjetësues të ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Nga këto përgjime unë dëgjova se gjyqtari francez po takohej me ndërmjetësuesit e z. Tolaj. Ata ishin takuar në Villa Gërmia me gjyqtarin Francesco Flori dhe prokurores Jaroslava Novotna dhe unë u shkova këtyre përgjimeve në detaje. Ato të gjitha ishin të rëndësishme”, tha ajo.
Bamieh deklaroi se grupi i Tolajt “kishin një aleancë të fortë politike brenda Qeverisë së Kosovës dhe ata në këto përgjime, po i referoheshin këtij politikani të fuqishëm si personi nga Kaltrina”.
GazetaEnigma ka kontaktuar me ish – sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, i cili u shpreh se një konferencë e tillë nga Maria Bamieh, e shpërfaqë tendencën e saj dhe jo profesionalizmin dhe problemet mendore që ajo ka.
“Konferencat e tilla si kjo nga Maria Bamieh, i shpërfaqin në mënyrën më të mirë tendencën, jo profsionalizmin dhe problemet mendore që ajo ka”, tha Tolaj.
Ai deklaroi se Gjykata ka vërtetuar se është i pafajshëm nga të gjitha akuzat e saj.
“Gjykata ka vërtetuar me një aktgjykim të formës së prerë se unë për të gjitha akuzat për të cilat jam akuzuar nga ajo jam plotësishtë i pafajshëm. Asnjë prentedim i saj në kohën kur ka qenë e plotëfuqishme dhe kur e ka keqpërdorur detyrën e vetë zyrtare ashtu siç e keqpërdorë edhe sot, ato akuza kanë qenë të pabaza dhe të prirura për motive personale dhe të përfitimit financiarë duke iu kryer shërbime personave apo grupeve e individëve të caktuar”, u shpreh ai.
Tolaj potencoi se këto konferenca sipas tij më shumë i përngjajnë “lehjeve të qenit sesa të një ish – zyrtari të EULEX-it”.
Ish – zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë, shprehi keqardhje për gjendjen në Kosovë, ku sipas tij një person i tillë që nuk ka patur për qëllim drejtësinë, të mundohet të sjellë tani drejtësi në vendin tonë.
“Më vjen keq jo vetëm se çka kamë pësuar unë nga veprat e saj, por se në çfarë grade ka ardhur Kosova, që një person i tillë po mundohet të sjellë drejtësi në Kosovë, e cila në asnjë moment nuk e ka patur qëllim as drejtësinë as luftën kundër korrupsionit apo krimit të organizuar siç pretendon ajo”, shtoi Tolaj.
Tolaj tha se Bamieh, është një person mendërisht jostabil.
“Është e patolerueshme që një person mendërisht jostabil, të shqetësojë opinionin me deklarata plotësishtë të rrejshme dhe të më shqetësojë mua dhe familjen time”, ka thënë Tolaj për Gazetën Enigma. /GazetaEnigma