Imri Demelezi emërohet ministër në detyrë i Bujqësisë

Imri Demelezi emërohet ministër në detyrë i Bujqësisë

Imri Demelezin është emëruar ministër në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, bëri të ditur Qeveria e Kosovës.

Ai në këtë detyrë zëvendëson Faton Pecin, i cili do të marrë detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Detyrën ia ka dorëzuar vetë Peci, të cilin Demelezi e ka falënderuar për “punën, angazhimin dhe rezultatet e arritura”.

Demelezi nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, deri më tani mbante postin e zëvendësministrit të Bujqësisë.

“Marrja e pozitës si ushtrues detyre i ministrit është një përgjegjësi e madhe, të cilin do ta kryej me përkushtim edhe më të madh. Njohja e punës nga brenda dhe përgatitja profesionale gjatë gjithë jetës vetëm në sektorin e bujqësisë nga pozita të ndryshme, më jep sigurinë se së bashku me ekipin, stafin ministrorë dhe aktorët tjerë brenda dhe jashtë vendit do të arrijmë rezultate konkrete që prekin jetën e secilit prej jush”, shkroi ai në Facebook.

Peci fitoi garën për Mitrovicën e Jugut në rundin e balotazhit të mbajtur më 9 nëntor, kur u përball me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri.

Që pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka pësuar disa ndryshime, pasi Albulena Haxhiu u largua nga drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë pasi u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, sikurse edhe Emilja Rexhepi, që u largua nga posti i zëvendëskryeministres, pasi u zgjodh nënkryetare Kuvendi. Liburn Aliu, ndërkaq, dha dorëheqje nga posti i ministrit të Infrastrukturës, dhe në vend të tij u emërua Hysen Durmishi. Kurti po ashtu ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Elldin Uglari.

Pas muajsh bllokadë politike, në fund të gushtit deputetët konstituuan përbërjen e re parlamentare, duke i hapur rrugë formimit të ekzekutivit. Megjithatë, dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit dështuan që të siguronin 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.

Pas dështimit për formimin e Qeverisë së Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

Related Articles