Rrahja e të moshuarës në një qendër strehuese në Pejë u bë lajm edhe në mediet ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.
Gjatë ditë së sotme një numër mediash sikurse DailyMail, Blick e Noticias raportuan mbi incidentin në Pejë ku shihet një infermiere duke sulmuar fizikisht një grua të moshuar.
Madje të mërkurën mediumi serb Alo, i dha një qasje krejtësisht tjetër duke thënë se viktima ishte në fakt një shtetase serbe.
“Momenti tronditës një grua e moshuar në shtëpinë e kujdesit në Kosovë goditet vazhdimisht nga infermierja”, është titulli që mediumi britanik DailyMail i la këtij artikulli.
Për rastin gjithashtu raportoi edhe mediumi zviceran Blick, gjithashtu edhe një medium spanjoll Noticias.
“Nga Kosova dolën pamje vërtet të ashpra dhe tronditëse. Ndodhi në një shtëpi pleqsh. Një nga punonjëset e qendrës godet një të moshuar që vuan nga Alzheimer”, kështu nisi lajmin mediumi spanjoll Noticias, me titull “Pamje tronditëse: Një punonjëse e shtëpisë së të moshuarve sulmon një grua të moshuar që vuan nga Alzheimer”.
Incidenti për të moshuarën mori hov gjerësisht të mërkurën pas publikimit të videos nga aktorja Kaltrinë Zeneli.
Sipas videos, infermierja shihet vazhdimisht duke sulmuar gruan, derisa njëra incizon të gjithë incidentin të tjerat u tallën me sulmin.
Për momentin, tre punonjëse janë arrestuar derisa pas seancës gjyqësore në Pejë pritet t’iu shqyrtohet masa e paraburgimit.