Sindikata e Infermierëve të Kosovës nuk po e pranon vendimin e QKUK-së i cili thotë nuk do pranohen si dëshmi nga infermierët dhe stafi tjetër shëndetësor, rezultatet pozitive për COVID-19 përmes testeve rapide, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një komunikate, thuhet se kjo sindikatë nesër do të kërkojë përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë dhe Qendrat e Testimit Rapid në kuadër të Komunave lidhur me validitetin e rezultateve që dalin nga testimet rapide.
“Inkurajojmë SHSKUK / QKUK që të përmbahet nga vendimet e pamatura që paraqesin standart të dyfishtë, pasi këso vendime japin pasqyrë të keqe për një institucion kredibil siç është SHSKUK / QKUK, ndërsa në rast se SHSKUK / QKUK ka dyshime rreth mënyrës së testimit apo keqpërdorimeve, konsiderojmë që si institucion kanë resurse të mjaftueshme për mbikëqyrjen e këtij procesi”, kanë thënë nga kjo sindikate.
Tutje në reagimin e tyre thuhet se “Mos të harrojmë që komunitetet infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor çdo herë, e sidomos që nga fillimi i pandemisë COVID-19 e kanë dëshmiar korrektësinë e tyre, kanë dëshmuar që janë të përgjegjshëm, ndërsa përmes punës, angazhimit, dhe sakrificës kanë dëshmuar që vendi dhe qytetarët mund të llogarisin në infermierët dhe shërbimet e tyre”, thuhet në reagim. / Gazeta Enigma.