Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, e ka mbyllur vizitën dyditore në vendin tonë duke takuar të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë.
Lajçak deklaroi në një postim në orët e vona në Twitter se e kishte informuar komunitetin ndërkombëtar për hapat e ardhshëm dhe pritjet rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“E fundit, por jo më pak e rëndësishme, e informova komunitetin ndërkombëtar në Kosovë për gjendjen e dialogut, hapat e ardhshëm dhe pritjet tona për ditët dhe javët në vijim. Mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e tyre”, shkroi Lajçak.
Zyrtari i BE-së qëndroi për dy ditë në Kosovë një javë para takimit në Ohër ku pritshmëritë janë që të dakordohet mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Përpos takimeve me krerët shtetërorë, Lajçak shkoi edhe tek partitë opozitarë të cilët kanë shprehur rezervat e tyre për planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjithashtu, Lajçak ka zhvilluar takime edhe me Listën Serbe dhe shefin e UNMIK-ut e të EULEX-it si dhe komandantin e KFOR-it.
Last but not least, I updated the International Community in Kosovo about the state of play in the Dialogue, next steps and our expectations for the days and weeks to come. Grateful for their interest and support. pic.twitter.com/TFuReO6n8y— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 11, 2023