Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, për disa orë u intervistua sot nga autoritetet e drejtësisë, nën dyshimin për korrupsion.
Lidhur me këtë ka reaguar partia “Guxo”, pjesë e së cilës është Peci.
Në një deklarim zyrtar, “Guxo” ka shprehur shqetësim të thellë, duke thënë se po jipen shenja se Prokuroria Speciale është bërë pjesë e lojërave politike.
“E gjithë kjo çështje merr një shije edhe më të hidhur kur kihet parasysh që krejt “rastësisht” prokurori i rastit të sajuar është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren.
Ministri Peci është simbol i përkushtimit të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me vendosmëri dhe integritet të lartë, ai ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve për pastrimin e institucioneve dhe për rikthimin e besimit qytetar në shtetin e së drejtës”, thuhet në reagim të Guxo-s.
Ky është deklarimi i plotë i partisë:
Partia Guxo shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të Prokurorisë Speciale, e cila dukshëm po jep shenja se është bërë pjesë e lojërave politike duke vënë në shënjestër Ministrin më të suksesshëm të Qeverisë Kurti 2, z. Faton Peci.
E gjithë kjo çështje merr një shije edhe më të hidhur kur kihet parasysh që krejt “rastësisht” prokurori i rastit të sajuar është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren.
Ministri Peci është simbol i përkushtimit të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me vendosmëri dhe integritet të lartë, ai ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve për pastrimin e institucioneve dhe për rikthimin e besimit qytetar në shtetin e së drejtës.
Po ashtu, z. Peci ka qenë zëri dhe veprimi i lirimit të pronave publike të uzurpuara padrejtësisht, duke vepruar pa kompromis ndaj çdo forme të uzurpimit, pa dallime politike apo lidhje të tjera të ndikimit.
Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Bujqësisë ka përjetuar një ringjallje të vërtetë. Grantet dhe donacionet janë shpërndarë mbi bazën e meritës, duke u orientuar drejt fermerëve dhe bujqve që realisht kontribuojnë në zhvillimin rural dhe ushqimor të vendit.
Partia Guxo qëndron fuqishëm përkrah Ministrit Peci dhe dënon çdo përpjekje për njollosjen e figurave të ndershme që punojnë për interesin publik. Këto sulme politike nuk do ta ndalin betejën tonë për një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.