Një delegacion i lartë iranian ka mbërritur në Doha të Katarit për negociata të reja diplomatike lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund tensioneve dhe konfliktit në rajon.
Delegacioni udhëhiqet nga kryenegociatori Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa pjesë e ekipit është edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Abdolnaser Hemmati.
Sipas burimeve diplomatike, diskutimet do të fokusohen në çështje kyçe si Ngushtica e Hormuzit, uraniumi i pasuruar në nivel të lartë dhe fondet e ngrira të Iranit, të cilat pritet të jenë pjesë e marrëveshjeve mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Katari, i cili së fundmi ka marrë rol më aktiv ndërmjetësues, po shihet si një pikë kyçe për zhvillimin e negociatave mes Iranit dhe SHBA-së në përpjekje për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
