Diplomati gjerman me përvojë të gjatë sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor, sidomos dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, Wolfgang Ischinger, në një intervistë për T7 ka thënë se çfarë duhet të arrijë Perëndimi sa i përket çështjes së dialogut Prishtinë-Beograd ka qenë e ditur qysh në vitin 2008 kur Kosova ka fituar pavarësinë.
Ai ka thënë se ka nevojë për një zgjidhje gjithpërfshirëse për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me shpresën që kjo në një moment të caktuar çon në njohje reciproke.
Megjithatë Ischinger thotë se mendon që aktualisht secili hap i përkohëshëm që çon në drejtimin e duhur është i vyeshëm meqë është i nevojshëm stabiliteti i plotë në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka thënë se në këtë aspekt duhet të shtrohet edhe pyetja se çfarë NATO mund të bëjë për t’i kontribuar situatës së sigurisë, derisa përmend faktin që ka zgjeruar ftesat për Suedinë dhe Finlandën.
Ischinger thotë se Kosova është një prej vendeve evropiane që ende s’ka arritur të bëjë progres të dukshëm në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe thekson se kjo duhet të jetë agjenda e Evropës.
“Çarë ne duhet të arrijmë, është e qartë dhe ka qenë e qartë për gjithë periudhën që kur Kosova mori pavarësinë në vitin 2008. Ne kemi nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për çështjen e pazgjidhur në mes të Kosovës dhe Serbisë, me shpresën që kjo në një periudhë të caktuar kohore do të çojë në njohje reciproke. Por në këtë moment, mendoj që çdo hap i përkohsëm mendoj që do të ishte një hap i vyeshëm në drejtimin e duhur”.
”Ne kemi nevojë për stabilitet të plotë në këtë pjesë të botës. Unë mendoj që është gjithashtu e rëndësishme për ne, se çfarë roli mund të luajë NATO, një prej pyetjeve është se çfarë roli mund të luajë BE dhe tjetra çfarë roli mund të luajë NATO-ja. Ne kemi parë që NATO ka zgjeruar ftesat për Suedinë dhe Finlandën që t’i bashkohen Aleancës Atlantike”.
”Kosova është një prej vendeve evropiane që akoma s’ka qenë në gjendje të bëjë hapa të dukshëm për anëtarësim eventual në NATO. Unë mendoj që kjo duhet të jetë në agjendën tonë”, ka thënë Ischinger.