I ftuar në emisionin Italia Uno, ish-futbollisti i Juventusit, Massimo Mauro, hodhi akuza shokuese për Cristiano Ronaldon, për të cilin pretendon se e ka goditur me grusht shokun e atëhershëm të skuadrës Federico Chiesa gjatë periudhës kur kishte veshur fanellën e Zonjës së Vjetër.
Mauro beson se portugezi nuk mund të krahasohet me Maradonën, sepse ai është egocentrik dhe mendon vetëm për veten.
“Mos bëni krahasime me Maradonën. Ai ishte i popullarizuar me të gjithë shokët e tij të skuadrës, ndërsa Ronaldo sjell trazira në dhomën e zhveshjes. Ronaldo madje ‘ngriti dorën’ në dhomën e zhveshjes së Juventusit dhe goditi shokun e skuadrës. Federico Chiesa duhet të ketë guximin për të folur rreth kësaj. Për këtë arsye, Pirlo nuk e futi në ndeshjen e fundit”, deklaroi ai.
“Ronaldo erdhi në Torino për të fituar Ligën e Kampionëve dhe e vetmja gjë që bëri ishte arritja në çerekfinale”.
Ronaldo u largua nga Juventusi në fund të afatit kalimtar sezonin e kaluar dhe u rikthye në Manchester United.