Endrit Zabërgja, si ish-këshilltar i jashtëm politik i ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj është deklaruar fajtor lidhur me akuzën për mosraportim më pasurisë.
Këtë deklarim, i akuzuari Zabërgja e ka bërë të martën, gjatë seancës fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi aktakuza ju lexua nga prokurori Blerim Igrishta, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari gjatë deklarimit të tij tha se, patjetër që vepra ka ekzistuar, mirëpo ai këtë vepër nuk e ka bërë më dashje dhe nuk ka qenë në njohuri që është duke e thyer ligjin.
Në fund, i akuzuari Zabërgja e ka lutur gjykatën që t’i shqiptojë një dënim sa më të butë.
Ndërsa, mbrojtësi i tij, avokati sipas detyrës zyrtare Driton Muharremi, u pajtua me deklarimin e të mbrojturit të tij lidhur me pranimin e fajësisë.
Tutje, avokati Muharremi i propozojë gjykatës që të merr parasysh si rrethanë lehtësuese pranimin fajësisë, faktin se i mbrojturi i tij ka qenë në cilësinë e këshilltarit të jashtëm pa pagesë, që do të thotë nuk ka përfituar asnjë cent ka buxheti i Kosovës, është i moshës relativisht të re dhe me një dënim minimal mund të arrihet qëllimi i dënimit që i njëjti në të ardhmen mos ta përsërisë veprën penale si dhe faktin që pas kësaj i njëjti gjithmonë ka deklaruar pasurinë në Agjensionin Kundër Korrupsion ( AKK).
Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Zabërgja, u pajtua prokurori Igrishta kurse, i propozojë gjykatës që të vlerësoj rrethanat lehtësuese dhe rendueses si dhe provat qe janë bashkangjitur lendes dhe të njëjtin ta shpall fajtor dhe t’i shqiptojë dënim meritor.
Deklaratën e prokurorit të shtetit Igrishta e ka mbështetur përfaqësuesja e AKK-ës, Lendita Ademi.
Në fund, ky pranim fajësie u aprovua edhe nga gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica, ndërsa shpallja e aktgjykimit u caktua të bëhet më 7 prill 2023.
Sipas aktakuzës së ngritur më 20 qershor 2022, i akuzuari në cilësinë e Zyrtarit të Lart Publik, si ish-këshilltar i jashtëm politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafin 1 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtar.
Siç thuhet në aktakuzë, në atë mënyrë që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar dhe i njoftuar me kohë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion dhe Zyrtarit Kontaktues pranë kësaj ministrie për të bërë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare në afatin një mujor nga marrja e detyrës, i njëjti i vetëdijshëm për pasojat e mos deklarimit të pasurisë, detyrën e këshilltarit në bazë të vendimit e ka marr më 19 qershor 2020, por se i njëjti nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë në afatin një mujor siç parashihet me ligi.
Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer verën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i te ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 par. 2 të KPRK-së.