Ish-komandanti i FSK-së: Presidentja do të duhej të ishte më e kyçur në zhvillimet e veriut

Ish-komandanti i FSK-së: Presidentja do të duhej të ishte më e kyçur në zhvillimet e veriut

Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, deklaroi se liderët e institucioneve do të duhej të krijonin një platformë politike për çështjen e veriut, në mënyrë që siç tha ai, të ketë strategji kombëtare.

Ai deklaroi të hënën në KTV se presidentja Vjosa Osmani ka rol unifikues dhe do të duhej të ishte më e kyçur në zhvillimet e veriut, duke ftuar në takim të gjitha partitë “për të gjetur se çka duhet bërë karshi veriut”.

“Serbët e kanë synim e qëllim Serbinë e madhe. Qëllimi i presidentit Vuçiq ka qenë të bëjë ndarjen e këtij territori dhe t’ia bashkojë Serbisë. Me serbët duhet të jemi të vendosur, të kemi një politikë kombëtare. Ua shoh për të madhe liderëve që nuk ulen pozitë e opozitë e ta bëjnë një strategji. Çështja e veriut është çështje kombëtare dhe duhet të kemi një politikë kombëtare.

Kastrati shtoi se Kosova do t’ua prezantonte strategjinë për veriun edhe ndërkombëtarëve, që ta kishin edhe atë të qartë “se si duhet vepruar”.

“SHBA-ja nuk është dashur të bëjë këtë, Ushtria e Kosovës është institucioni më i besueshëm edhe prej ushtrive të rajonit, por edhe në botë…Kudo që ka qenë na ka bërë krenare, ka marrë pjesë në 2 operacione paqeruajtëse…SHBA-ja e dinë shumë mirë që Ushtria e Kosovës është në vijë me standardet më bashkëkohore. Është dashur të goditen njerëzit që kanë gabuar, politika ,por jo institucioni më i respektuar në Kosovë”, tha ai.

Kastrati, duke folur në Ditën e Çlirimit, tha se gjatë luftës ka shërbyer në Zonën Operative të Llapit, ndërsa shtoi se bombardimet e NATO-së ndaj caqeve serbe kishin ndodhur si paralajmërim për kapitullimin e Serbisë.

“Bombardimet kanë qenë politike sepse NATO-ja ka mundur ta shkatërrojë ushtrinë jugosllave për 7 ditë, por kanë qenë bombardimet më të lehta, si paralajmërim për të pranuar kapitullimin dhe të largohen nga Kosova, por Millosheviqi nuk e ka pranuar dhe NATO-ja i ka rënduar bombardimet. E kemi ditur se çdo ditë Millosheviqi me forcat e veta paramilitare do të kapitullojë…Jemi përgatitur, kemi qenë në situata të vështira sepse u harxhuan municionet e ushqimet. Në Zonën Operative të Llapit kaluam në guerilë në grupe të vogla duke goditur armikun aty ku kemi mundur duke mbrojtur të plagosurit deri në çlirimin e vendit”, theksoi ai.

Kastrati tha se ka stërvitur shumë të rinj që kanë pasur interesim t’i bashkohen UÇK-së, por që s’ka pasur mundësi të stërvitë aq sa ka pasur kërkesa për bashkëngjitje në luftë.

Related Articles