Gjenerali në pension i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se Serbia përmes njerëzve paraushtarakë dhe serbëve vendorë do të tentojë ta inskenojë ndonjë masakër në veri të vendit.
Kastrati ka thënë se ka informacione që në kazermat rreth Kosovës po stërviten një numër i konsiderueshëm i serbëve lokalë.
“Mendoj që është shumë me vend, sepse numri i trupave të NATO-s në Kosovë nuk do të mjaftonte për sigurinë e cila çdo ditë e më shumë po kërcënohen kufijtë e Kosovës, por edhe siguria e brendshme, duke marrë parasysh se serbët ekstremë qofshin ata vendorë apo edhe njerëzit paramilitarë po mundohen që të inskenojnë një konflikt në veri të Mitrovicës dhe t’i arrijnë qëllimet e tyre që Ballkani Perëndimor të mos jetë i qetë çka atyre iu konvenon shumë”.
“Rusia përmes Serbisë po mundohet që ta bëjë këtë dhe jam i shqetësuar, sepse disa informacioneve në kazermat rreth Kosovës, Rashkë, Kralevë janë dhënë poligonet e tyre ushtarake, ku po stërviten një numër i konsiderueshëm i serbëve lokalë, njerëzve që janë të sistemuar në brigadën veriore dhe për këtë arsye mendoj që nuk duhet të shqetësohemi se a do të hyjë Serbia në Kosovë e dimë që jo, sepse ka një frikë të madhe nga NATO-ja, por ata do të tentojnë që përmes njerëzve paramilitarëve vendorë ta inskenojnë ndonjë masakër eventuale në veri të Kosovës…”, tha ai në Dukagjin.
Tutje, ai tha serbët se janë duke u përgatitur fuqishëm në grupe të vogla.
“Ata nuk kanë hequr dorë, po përgatiten më fuqishëm, por në të ardhmen nëse tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë, nuk do ta bëjnë me grupe më të mëdha si në Banjskë, por me grupe më të vogla duke u munduar që me grupe të vogla, në mënyrë më të shpejtë t’i radikalizojnë serbët atje… rreziku më i madh është pikërisht në këtë drejtim”, shtoi ai.