Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka ka komentuar nismën që u prezantua sot në Shkup, nga ana e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Reka në një postim në Facebook ka shkruar se “sot në Shkup, “troika” e Novi Sadit varrosi “Mini-Shengenin Ballkanik” dhe inauguroi trilateralen. Vuqiqi dështoi, plotë tri vite, që ta shes reinkarnimin e Jugosllavisë në amballazhën e integrimit rajonal. Shengeni i vogël, ishte fasadë e Jugosllavisë së madhe”.
Ish-ministri më tej ka theksuar se që nga viti 2019, Beogradi u përpoq ta shes idenë për “Jugosllavinë Evropiane”, me një emër tjetër: “Mini-Shengen Ballkanik”, ama sërish nën hegjemoninë tregtare, ushtarake e politike serbe.
“Ndryshimi i emrit nuk ndryshoi përmbajtjen. Sot, Vuqiqi, u detyrua ta ndryshojë vetëm emrin e nismës së Novi Sadit, por pa e ndryshuar qëllimin nismëtar: krejt Ballkani brenda “Botës Serbe”, (“Serbski Svet“) – strategjia e radhës e Beograd”, ka shkruar Reka.