Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami gjatë ditës së sotme ka deklaruar se ende nuk e kupton arsyen se përse ende nuk janë kthyer në Thesarin e Shtetit 2.1 milionët e vjedhura, derisa dihet ku kanë shkuar paratë, raporton Gazeta “Enigma”.
Një deklaratë të tillë ajo e bëri në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike pas pyetje që adresoi anëtari i komisionit Eman Rrahmani, i cili parashtroi pyetje për Ministrinë e Financave rreth këtij procesi. “A keni marrë hapa edhe a kemi garanci se nuk do të ndodhin vjedhje të tilla ashtu siç ka ndodhur ky i 2.1 milionëshit dhe a është marrë diçka në lidhje me atë ose a janë kthyer ato mjete, apo si është situata”, pyeti deputeti Rrahmani.
Në replikën e tij zëvendësministri i Financave, Ilir Kapiti deklaroi se për këtë çështje janë në pritje të përgjigjes nga Prokuroria e Shtetit. “Edhe ne presim një përgjigje nga Prokurori që merret me këtë çështje dhe besoj që së shpejti do të vijnë me ndonjë përgjigje, e cila do t’u jepet të gjithëve. Sa i përket asaj që një gjë e tillë mos të ndodhë, kemi ndërmarrë të gjithë hapat. Kemi kontakte dhe takime të përditshme me Thesarin dhe Raport Javor në ministri për rrjedhën e punës në Thesar. Besoj që të gjitha elementet, të cilat kanë qenë inkriminuese dhe elemente që kanë lënë hapësirë të bëhen gjëra të tilla janë eliminuar”, shtoi zëvendësministri i Financave./GazetaEnigma