Ish-ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, i ka bërë thirrje Qeverisë që të nis procedurat për hapjen e zyrës ndërlidhëse në Kiev të Ukrainës, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas saj, MPJ nuk ka strategji lobimi “për mirëmbajtjen dhe thellimin e raporteve bilaterale ekzistuese me shtete njohëse, e as iniciativa të reja për të filluar një komunikim të thjeshtë bilateral me shtete mosnjohëse”
“MPJ do të duhej të kërkojë nga lidershipi i Ukrainës (ndoshta përmes Ministres së Jashtme Olta Xhaçka apo Ministrit të Jashtëm Bujar Osmani) të fillojë bisedimet për të hapë një Zyre Ndërlidhëse të Kosovës në Kiev (ashtu siç e kemi në Athinë)”, theksoi ajo.
Reagimi i saj i plotë:
KOSOVA TË HAPË ZYRE NDËRLIDHËSE NË KIEV TË UKRAINËS
Edhe pas 2 vitesh, shohim se MPJ nuk ka strategji lobimi për mirëmbajtjen dhe thellimin e raporteve bilaterale ekzistuese me shtete njohëse, e as iniciativa të reja për të filluar një komunikim të thjeshtë bilateral me shtete mosnjohëse.
Për shembull, MPJ do të duhej të kërkojë nga lidershipi i Ukrainës (ndoshta përmes Ministres së Jashtme Olta Xhaçka apo Ministrit të Jashtëm Bujar Osmani) të fillojë bisedimet për të hapë një Zyre Ndërlidhëse të Kosovës në Kiev (ashtu siç e kemi në Athinë), sidomos tani që edhe Shqipëria e hapi Ambasadën e saj aty, dhe ka një bashkim të të dyja shteteve (Kosovë e Ukrainë) në polin anti-Rusi.
Kosova nuk e kapitalizoi aspak vendimin e Serbisë për mosvendosje të sanksioneve ndaj Rusisë, dhe ky mbase do jetë momenti i fundit për të filluar.