Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, ka marrë vëmendjen e mediumit të njohur italian “Calciomercato”, pas paraqitjeve të tij të fundit me fanellën e Juventusit dhe golit të shënuar ndaj Austrisë.
Zhegrova u inkuadrua në pjesën e dytë në ndeshjen që Kosova e humbi 3-1 ndaj Austrisë, ndërsa realizoi golin e vetëm të “Dardanëve” nga pika e bardhë.
“Calciomercato” e ka vlerësuar formën e tij, duke theksuar se goli ndaj Austrisë ishte i treti për Zhegrovën në gjashtë ndeshjet e para të këtij sezoni, teksa ka regjistruar edhe një asistim.
Sipas mediumit italian, kjo formë përbën edhe një mesazh për trajnerin e Juventusit, Luciano Spalletti, i cili sezonin e kaluar nuk arriti të kishte në dispozicion versionin më të mirë të Zhegrovës.
“Calciomercato” shkruan se Zhegrova tani pritet të konkurrojë me Francisco Conceicaon për një vend në formacionin bazë të Juventusit.
Me skemën 4-2-3-1 të përdorur nga Spalletti, kosovari shihet si kandidat për pozitën në krahun e djathtë të sulmit.
Ndërkohë, Zhegrova aktualisht është i fokusuar te Përfaqësuesja e Kosovës, e cila të enjten do të përballet me Izraelin në Hungari.
