Ish-nënkryetarja e LDK’së, Shqipe Mjekiqi, i është bashkuar ekipit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Lajmin për këtë e dha vetë Kurti në një postim në Facebook ku tha se Mjekiqi do të japë kontribut në politikë të jashtme e marrëdhënie ndërkombëtare.
Mjekiqi ishte zgjedhur nënkryetare e LDK’së më 2021dhe më pas kishte dhënë dorëheqje.
“Në ekipin tim si Kryeministër, nga sot u bashkua Shqipe Mjekiqi, për të kontribuar me ekspertizën e saj në politikë të jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Ishte kënaqësi të bashkëbisedojmë mbi nevojat e Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, të arriturat tona socio-ekonomike dhe vlerat demokratike, zhvillimet politike në vendin tonë e në rajon dhe situatën e sigurisë”, ka shkruar Kurti.
Kurti më pas shkroi edhe për profilin e saj.
“Shqipe Mjekiqi ka mbaruar studimet e doktoraturës në Shkenca Politike në Trinity College Dublin, Masterin në politikat e Bashkimit Evropian në London School of Economics dhe studimet bazë në Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Shqipja ka një përvojë të gjatë profesionale në institucionet publike të Republikës së Kosovës në fushën e integrimit europian dhe çështjeve të sigurisë. Aktualisht është Profesor Asistent në Kolegjin UBT dhe e angazhuar si konsulente në projekte të ndryshme që lidhen me zhvillimin dhe proceset reformuese në vendin tonë”.
