Ish-presidenti serb Tadiq thotë se marrëveshja e ofruar mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB

Ish-presidenti serb Tadiq thotë se marrëveshja e ofruar mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se marrëveshja e propozuar i mundëson Kosovës anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, edhe nëse kjo nuk thuhet shprehimisht në tekst.

Ai shtoi se është e papranueshme që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të shprehë gatishmërinë për të pranuar marrëveshjen pa u konsultuar me institucionet kompetente.
“Sipas njohurive të mia rreth marrëveshjes që është propozuar, edhe një herë e theksoj publikisht se një marrëveshje e tillë fare mirë mund të mundësojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, edhe nëse nuk thuhet shprehimisht në vetë tekstin”, ka shkruar Tadiq në Twitter.

Propozimi gjerman që ishte bërë nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel gjatë kohës sa Tadiq ishte president “as që përbënte kërcënim për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë, aq sa kjo marrëveshje”.

Ai shtoi se e kupton që negociatat ndërkombëtare të këtij lloji kërkojnë një nivel të caktuar të fshehtësisë, por se është e papranueshme që presidenti i vendit të shprehë gatishmërinë për zbatimin e parimeve të asaj marrëveshjeje pa konsultim të gjerë me institucionet kompetente dhe qytetarët e vendit.

Ndryshe, pesë emisarët që po ndërmjetësojnë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kanë qëndruar gjatë ditës së djeshme në Prishtinë dhe Beograd.

Related Articles