Ish-sekretari i MIE: Po neglizhohet emërimi i ambasadorëve, propozimet e reja të jenë cilësore

Ish-sekretari i MIE: Po neglizhohet emërimi i ambasadorëve, propozimet e reja të jenë cilësore

Ish-sekretari i ministrisë së Integrimit Evropian, Demush Shaha, ka thënë se emërimi i ambasadorëve është neglizhuar si proces nga Qeveria e re.

Shasha thotë se mosemërimi i 12 ambasadorëve me kohë nuk është situatë ideale, por që sipas tij, më me rëndësi është që propozimet e reja të jenë cilësore.

“Patjetër se është neglizhim sepse nuk duhet të ndodhë në një situatë çfarë ka ndodhë që përfundojnë mandatet e ambasadorëve ne nuk kemi ambasadorë dhe nuk është kjo situatë ideale, por për mua është me rëndësi edhe nëse jemi vonuar që propozimet e reja të jenë cilësore”.

Mes tjerash ai tha se ngritja e shërbimit diplomatik gjithmonë është parë si mundësi e re për rehatim të interesave partiake dhe atyre politike në kuadër të emërimit të shërbimit diplomatik.

Derisa, tutje ka shtuar se Qeveria e re duhet sa më shpejtë të përfundojë konsultimet e nevojshme dhe të bëhen emërimet e reja.

Më 19 maj të këtij viti ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka propozuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të lirojë nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët janë të emëruar politikisht.

Related Articles