Krasniqi: Beteja me COVID nuk është betejë politike, Kuvendi duhet të ndërpresë pushimin

Krasniqi: Beteja me COVID nuk është betejë politike, Kuvendi duhet të ndërpresë pushimin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për medie, ku ka kritikuar ashpër Qeverinë për keqmenaxhim të situatës me pandeminë COVID-19, ka theksuar se kjo nuk është betejë politike, por është betejë për shpëtimin e jetës së qytetarëve të vendit.

Krasniqi ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për krijimin e një fronti të përbashkët për t’i dalë në ballë pandemisë dhe krah nevojave të qytetarëve.

“Qytetarët tanë duhet të gjejnë siguri më të madhe për t’u mbështetur në institucionet e veta, që të mos lihen e të ndihen të lënë anash e të vetmuar për asnjë çast në këtë përballje.Për këtë shkak, dy ditë më parë unë i kam dërguar një letër Kryeministrit Kurti, në të cilën kam shprehur gatishmërinë e PDK-së që në Kuvendin e Kosovës të ofrojë zgjedhje për qytetarët. Që nga fillimi i pandemisë, PDK, duke qenë në opozitë, ka dhënë ndihmën e saj në hartimin dhe votimin e Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID 19, si dhe Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.E po ashtu, kemi mbështetur marrëveshjet ndërkombëtare që synonin ndihmën për institucionet dhe kapacitetet shëndetësore përballë Covid-19.”, tha ai.

Krasniqi kërkoi edhe një herë që deputetët të kthehen nga pushimi në Kuvendin e Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin krahas nevojave të sektorit shëndetësor në luftë me pandeminë.

“Është e qartë se mungesa e vaksinave si top prioritet për ballafaqim me Covid-19 është një problem që kërkon zgjidhje emergjente. Organizimi funksional, non-stop dhe mobil i procesit të vaksinimit, kërkon veprim të menjëhershme. Furnizimi me medikamente për të infektuarit, në çdo qendër trajtimi, kërkon veprim të menjëhershëm. Mbështetja meritore e profesionistëve shëndetësorë kërkon vendimmarrje serioze, të qëndrueshme dhe të menjëhershme.”, tha ai.

Kryetari i PDK-së kërkoi që të gjitha këto nevoja emergjente të reflektohen në Buxhet, në mënyrë që kjo gjendje e rëndë me pandeminë t’u bëhet më e lehtë qytetarëve të Kosovës.

“Përballë kësaj tragjedie dhe këtij trendi kaq të rëndë e të rrezikshëm njëkohësisht, sot nuk duhet të ketë prioritet më të madh e më të rëndësishëm sesa shpëtimi i jetës së qytetarëve tanë.Të gjithë duhet të bëhemi bashkë – që qytetarëve t’ua lehtësojmë barrën e ballafaqimit me këtë sfidë.Kjo është nevojë emergjente dhe domosdoshmëri.”, theksoi ai.

Related Articles