Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier është takuar me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.
Hovenier është shprehur i lumtur për takimin me Tamar Ziv, ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë.
“Të ngazëllyer për të parë se si Izraeli dhe Kosova, të dy partnerë të ngushtë të SHBA-së me fuqi punëtore të reja, të ndryshme dhe me arsim të lartë, do të përfitojnë më tej nga kjo marrëdhënie e lulëzuar, me zhvillim të shpejtë dhe strategjike”, ka shkruar në Twitter Hovenier.
Ndryshe më 5 prill, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadoren Ziv, me të cilën ka biseduar për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, bujqësisë, arsimit dhe kulturës, derisa Ziv e ka ftuar Kurtin për vizitë zyrtare në Izrael.
Ai theksoi progresin e konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik, “duke veçuar rritjen ekonomike prej 10,53%, rritjen e eksporteve prej 83,6% , rritjen e Investimeve të Huaja Direkte prej 22% dhe rritjen e të hyrave tatimore prej 34%”.
Izraeli dhe Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt 2021 dhe Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem më 14 mars të po atij viti.
Hapja e ambasadës në Jerusalem rrjedh nga marrëveshja e 4 shtatorit 2020 në Uashington.