LVV thyen heshtjen, paralajmron padi për ata që e akuzuan lidhur me punësimet në KEK

LVV thyen heshtjen, paralajmron padi për ata që e akuzuan lidhur me punësimet në KEK

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje mohon kategorikisht të jetë përfshirë në punësimin e 128 militantëve në KEK, siç u proklamua nga përfaqësues opozitar, raporton Gazeta “Enigma”.

Kështu ka thënë sekretari për Media dhe Komunikim në Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili vlerësoi se LVV-ja nuk është e përfshirë në punësimin e 128 personave në KEK shumica nga ta familjarë të funksionarëve të VV-së dhe militantë të Vetëvendosjes.



Manxhuka është arsyetuar se asnjë zyrtar i VV-së nuk e ka askënd të punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës në procesin rekrutues të kësaj ndërmarrje.

“Lëvizja njofton opinionin publik se nuk është e përfshirë në punësime partiake dhe se ka qenë gjithnjë kundër praktikave të punësimit me kriter përkatësinë politike. Asnjë zyrtar i LV-së nuk e ka askënd aty dhe ato që janë publikuar janë shpifje për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij “Përpjekja e klubit të stërvjetëruar politik është që ta bëjë LV-në si ta, por kjo gjë është e pamundshme. 14 shkurti 2021 është përcaktim i qartë: ndërmarrjet publike do të zhvillohen dhe koha e zhvatjes së tyre ka përfunduar”.

Ndërkohë Prokuroria Themelore në Prishtinë inicoi hetime për shkeljet e dyshuar në procesin rekrutues të 128 punëtorëve në KEK.

“Pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Prokurorisë. / Gazeta Enigma.

Related Articles