Ministria e Shëndetësisë e Izraelit njoftoi të mërkurën për rreth 12.000 raste të reja me COVID-19, që përbën shifër rekorde që nga fillimi i pandemisë.
Sipas shifrave zyrtare, të martën u raportuan 11.978 raste, duke e kaluar rekordin e mëparshëm prej 11.344 rasteve, të regjistruar më 2 shtator të vitit të kaluar.
Ndonëse janë rreth 60.000 njerëz me COVID-19 në Izrael, numri i rasteve serioze të mërkurën është vetëm 125, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Gati 4.3 milionë nga 9.4 milionë banorët e Izraelit kanë marrë nga tri doza të vaksinës. Ditëve të fundit, autoritetet e kanë nisur dhënien e dozës së katërt për grupet e rrezikuara.
Të martën, Kryeministri Naftali Bennett parashikoi rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve dhe u bëri thirrje izraelitëve që të vaksinohen.
“Vala tani është vërtet duke u rritur dhe ne presim që të kemi dhjetëra mijëra raste të vërtetuara tashmë në ditët e ardhshme. Lajmi i mirë është që vaksinat funksionojnë, prandaj secili që vaksinohet dhe vendos maskë në mënyrën e duhur ndoshta nuk do të sëmuret rëndë dhe do ta kalojë virusin brenda pak ditëve”, tha ai./Gazeta Enigma/