Aeroplanët ushtarakë të Izraelit sulmuan dy objektiva në Rripin e Gazës më 7 gusht si kundërpërgjigje ndaj lëshimit të balonave me flakë nga ana e militantëve, një ditë më parë.
Ushtria izraelite tha se sulmet kanë bllokuar një “kompleks ushtarak të Hamasit” dhe një vend për lëshimin e balonave.
Më 6 gusht, një zonë bujqësore në Izrael, pranë Rripit të Gazës, u përfshi nga zjarri pasi militantët lëshuan balona me flakë. Nuk është raportuar për viktima.
Lëshimet e balonave ndodhën pasi ushtria izraelite sulmoi Libanin si përgjigje ndaj sulmit me raketa nga Hezbollahu, një aleat i Hamasit.
Izraeli dhe Hamasi arritën armëpushim më 21 maj pas një lufte 11 ditëshe. Që nga ajo kohë militantët palestinezë kanë lëshuar balona zjarri në territorin izraelit, duke shkaktuar zjarre.
Palestinezët thonë se balonat kanë për qëllim të bëjnë presion mbi Izraelin për të lehtësuar kufizimet në enklavën bregdetare që u vendosën gjatë luftimeve të majit.
Rripi i Gazës me 365 kilometra katrorë është shtëpia e rreth 2 milionë palestinezëve. Një bllokadë e vendosur nga Izraeli ka vendosur kufizime në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave për vite me rradhë.
Gaza kontrollohet nga Hamasi, një organizatë e shpallur si terroriste nga Izraeli, SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe një sërë vendesh tjera.