Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas skadimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh.
PDK e ka mirëpritur vendimin, duke thënë se ai u jep përgjigje shqetësimeve të ngritura nga kjo parti lidhur me tejkalimin e afateve kushtetuese dhe funksionalizimin e institucioneve.
Sipas PDK-së, Kuvendi duhet të mblidhet menjëherë dhe të vazhdojë me përmbushjen e përgjegjësive të tij.
Kjo parti ka kërkuar që në rendin e ditës të përfshihet si pikë e parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
PDK pretendon se Kuvendit i kanë mbetur edhe 13 ditë për të përmbyllur procesin e konstituimit, për të shqyrtuar këtë projektligj dhe për të vazhduar me procedurat për zgjedhjen e presidentit.
Partia ka kërkuar që këto hapa të ndërmerren për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, ndërsa Projektligjin për Dhomat e Specializuara e ka cilësuar si prioritet në lidhje me, siç thotë, mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Kushtetuesja, ndërkaq, në vendimin e saj ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë, ndërsa ka vlerësuar se zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
