Për të gjashtën ditë me radhë, disa serbë në veri të Kosovës po vazhdojnë të bllokojnë rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.
Vendosja e barrikadave nga disa serbë lokalë u nxit nga arrestimi i ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Kosova thotë se ai dyshohet për “sulm terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri, më 6 dhjetor.
Situata në barrikada është e qetë.
Shkollat fillore dhe të mesme, në veriun e banuar me shumicë serbe, e që funksionojnë sipas sistemit serb, janë të mbyllura që nga e hëna, sikurse edhe objektet e hotelerisë.
Por është Fatmir Sheholli drejtori i institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike, i cili thotë se barrikadat në këto rrugë të Kosovës mund të largohen më së largu gjatë vikendit.
“Në bazë të informacioneve që i kemi si Institut pas takimit Vuçiq – Eskobar dje në Beograd pritet që deri në fundjavë serbët lokal të veriut vet t`i heqin barrikadat”, thotë ai.