Europa ka parë rritjen më të madhe të importeve të armëve në pesë vjet dhe trendi do të përshpejtohet ndjeshëm duke pasur parasysh informacionin mbi riarmatimin për shkak të një kërcënimi të ri rus, sipas një raporti të publikuar të hënën.
Në periudhën 2017-2021, tregtia botërore e armëve ra 4.6 për qind nga pesë vitet e mëparshme, por u rrit 19 për qind në kontinentin evropian, sipas një raporti të Institutit Ndërkombëtar për Kërkimin e Paqes (SIPRI) në Stokholm, Suedi, raportoi AFP.
“Europa është përsëri një pikë e nxehtë,” tha Siemon Wezeman, bashkëautor i raportit vjetor, i cili është botuar për më shumë se 30 vjet.
“Ne kemi nevojë për shumë armë të reja dhe një pjesë e mirë do të vijë nga importet,” tha studiuesi për AFP, kryesisht ndër-evropiane dhe amerikane.
Armatosja e Europës
Gjermania tashmë ka paralajmëruar planet për investime të mëdha në fushën e mbrojtjes.
Për shkak të rritjes së tensioneve me Rusinë pas vitit 2014, pjesa e Evropës në tregtinë botërore është rritur nga 10 në 13 për qind në pesë vitet e fundit dhe kjo pjesë do të rritet “dukshëm”, tha Wezeman.
Ndonëse është e vështirë të përcaktohen shifra të sakta për shkak të jotransparencës së shumë marrëveshjeve, vlera e tregtisë botërore të armëve rritet në 100 miliardë dollarë në vit, mendojnë ekspertët.
Sipas SIPRI, Azia dhe Oqeania mbeten zona kryesore e importit për pesë vitet e fundit, me një pjesë prej 43 për qind të tregtisë botërore të armëve dhe gjashtë importues të mëdhenj (India, Australia, Kina, Koreja e Jugut, Pakistani dhe Japonia).
Tregtia e armëve në pjesën më të dendur të botës, megjithatë, ka rënë me 5 për qind në pesë vitet e fundit.
SHBA, eksportuesi më i madh i armëve
Lindja e Mesme, tregu i dytë më i madh në botë me 32 për qind të tregtisë botërore, pa një rritje më të dobët (+3 për qind) dhe u bazua kryesisht në investimet e Katarit për shkak të tensioneve me vendet fqinje në Gjirin Persik.
Pjesa e Amerikës dhe Afrikës ra ndjeshëm me rreth 6 për qind në secilin kontinent.
Ndër pesë eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë, Shtetet e Bashkuara – deri tani eksportuesi më i madh – dhe Franca, në vendin e tretë, kanë parë rritje të fortë në pesë vitet e fundit, respektivisht nga 32 në 39 për qind dhe 6 në 11 për qind.
Rusia mbajti vendin e dytë midis eksportuesve, por pjesa e saj ra me 19 për qind gjatë periudhës në shqyrtim dhe një rënie e tillë mund të vazhdojë për shkak të ndikimit të sanksioneve dhe izolimit në rritje të Moskës, përfundon SIPRI.