Jashari: Ndërtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” obligim ndaj të gjithëve që vijnë në Prekaz

Jashari: Ndërtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” obligim ndaj të gjithëve që vijnë në Prekaz

Përfaqësues i familjes Jashari, Bekim Jashari, ka folur gjatë prezantimit të masterplanit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, ku tha se është hap i shumëpritur për të parandaluar dëmtimin edhe më të madh të kullave.

Jashari tha se gjithçka që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars 1998, sipas tij, është dëshmi e krimeve që ndodhën në Kosovë, nga regjimi serb mbi popullsinë civile, por edhe dëshmi, siç tha ai, e vendosmërisë, luftës, sakrificës dhe heroizmit që ndodhi anëkënd vendit.

“Jo vetëm Kompleksi Memorial “Adem Jashari” por edhe të gjitha të tjera memoriale të dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, janë dëshmi e historisë sonë të lavdishme, sakrificës civile dhe heroizmit të burrave, grave, djemve e vajzave që edhe në moshë të re u vunë shërbim të vendit duke mos i kursyer as jetët e tyre”.

“Ndërtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” është obligim ndaj mijëra vizitorëve nga trojet shqiptare që e vizitojnë Prekazin dhe kthehen të mbushur me krenari por nuk e fshehin as dëshirën e madhe që të shohin një kompleks të konservuar, një muze funksional dhe modern dhe me hapësira më të mëdha për të kaluar kohë me familjet e tyre”, tha Jashari.

Më tej, ai tha se vendi ku 26 vjet më herët luanin fëmijët e familjes Jashari dhe lagjes së tyre në rrethana pasigurie, sot është shndërruar në një vend ku luajnë të sigurt fëmijët e Kosovës, me shtetin që i mbron dhe historinë e lavdishme që i bën çdo herë krenarë.

“Duke e ndërtuar këtë kompleks, le t’i tregojmë botës për historinë tonë të lavdishme, t’i dëshmojmë për luftën e drejt dhe jetën e re që kemi ndërtuar si një shoqëri demokratike, shembull për shtetet dhe shoqërinë në rajon”.

“Të bashkohemi siç na kanë mësuar të parët tanë për ta jetësuar amanetin e dëshmorëve të lirisë, për një Kosovë që siguron mirëqenie, siguri e liri për të gjithë ata që jetojnë në të”, tha Jashari.

Related Articles