Trepça ’89 bëri një super sezon në Ligën e Parë Grupi A, duke u rikthyer në Superligë vetëm pas një sezoni.
Skuadra mitrovicase njihet si njëra prej skuadrave që i jep hapësirë më së shumti lojtarëve të rinj nga akademia e klubit, një gjë e tillë ka ndodhur edhe këtë sezon, pasi lojtarët nga Juniorët kanë kontribuar në ekipin e parë.
Juniorët e Trepçës ’89 janë në rrugë të mirë që të shpallen kampion në Superligën e Kosovës për herë të parë në histori të klubit.
Njomakët mitrovicas nën udhëheqjen e trajnerit mitrovicas, Seidi Onbashi kanë grumbulluar 64 pikë nga 25 ndeshje në Superligën e Juniorëve, gjashtë pikë më shumë se Ballkani që pozicionohet në vendin e dytë.
Trepçës ’89 i duhen vetëm edhe dy fitore nga katër ndeshje për ta siguruar matematikisht titullin e kampionit për herë të parë në histori të klubit.
Trajneri Seidi Onbashi në një intervistë për Gazetën Enigma ka treguar për rrugëtimin e juniorëve të Trepçës ’89 në këtë sezon.
Ai ka thënë se deri tani kanë bërë një rrugë të vështirë për t’iu afruar titullit të kampionit.
“Është e vërtet që jemi shumë afër të shpallim klubin Trepça ’89 për herë të parë kampion në histori të klubit me juniora. Është ndjenjë e veçantë pasi është mirë gjithmonë të jesh pjese e historisë e në veçanti të një klubi siç Trepça ‘89Ka qenë një rrugë shumë e gjatë dhe kemi kaluar nëpër situata edhe të mira edhe të vështira, kemi stërvit në vap, borë, shi e ftoftë, por s’jemi ndalur që nga dita e parë duke besuar në një qëllim për t’u bërë kampion”, tregon Seidi Onbashi për Gazetën Enigma.
Për njomakët e Trepçës ’89 nuk ka munguar mbështetja nga kryesia e klubit, thotë Onbashi.
“Po ashtu kemi pasur përkrahjen edhe të klubit, të kryetarit Abedin Zeka, drejtorit të klubit Arsim Islami dhe drejtorit të akademisë, Veton Qitakun”, tregon ai.
Ndihmës trajneri te ekipi i parë i Trepçës ’89, thotë se çelësi i suksesit ka qenë disiplina dhe puna në grup.
“Çelësi i suksesit ka qenë puna e përbashkët që kemi bërë, disiplina dhe grupi i përbashkët, ne nuk kemi dashur të veçohemi si individ, por si grup. Kemi arritur shumë fitore të rëndësishme me klube me emër të madh në futbollit kosovar”, tregon ai.
40-vjeçari nga Mitrovica është i kënaqur me trajnerin Shpëtim Idrizi për inkuadrimin e lojtarëve të rinj në ekipin e parë të Trepçës ’89.
“Sa i përket lojtarëve junior të cilat janë paraqitur në ekipën e parë jam shumë i kënaqur pasi që disa nga ta kanë arritur të kenë një minutazh të konsiderueshme duke e marrë parasysh synimin e klubit për t’u rikthyer në Superligë. Dua ta falenderoj klubin, stafin e trajnerëve për besimin ndaj tyre”, thotë ai.
“Besoj që disa nga ta do të jenë afër ekipes dhe besoj që do të jenë edhe të gatshëm ta ndihmojnë klubin edhe në Superligë duke marrë parasysh talentin që posedojnë dhe disa prej tyre e përfaqësojnë Kombëtaren e Kosovës”.
Niveli i juniorëve në Kosovë sipas trajnerit Onbashi është shumë i mirë, por vetëm duhet t’i jepet më shumë hapësirë nga trajnerët dhe klubet tona.
“Niveli i juniorëve në Kosovë është shumë i mirë, kemi ekipe të mira me lojtarë shumë të mirë por iu mungon besimi nga klubet e tyre të cilët kanë frikë t’i inkuadrojnë dhe kjo i penalizon këta djelmosha dhe si pasoj e kësaj, shumica prej tyre pas një kohë përshëndeten me futbollin. Klubi i ynë gjithmonë e ka fokusin shumë në lojtar të rinj”, thotë Onbashi.
/GAZETA ENIGMA/