Reduktimet e energjisë elektrike janë duke vazhduar që nga e hëna e 15 gushtit dhe nuk dihet edhe për sa kohë do të ketë mungesë të energjisë.
Zëdhënësi i KEDS-it i ka konfirmuar se reduktime do të ketë edhe gjatë të premtes.
“Po ka kufizime të energjisë elektrike edhe sot. Jemi në pritje të përmirësimit të situatës, ashtu siç e ka proklamuar Komiteti për Energji, por kjo nuk është në dorën tonë”, ka thënë Buzhala.
Kriza energjetike në Kosovë është shkaktuar për shkak të pamundësisë financiare së Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovës (KEDS) për të blerë energji nga jashtë.
Njoftimi për ndërprerjen e energjisë elektrike në periudha të ndryshme, është protestuar ashpër dhe masivisht nëpër rrjete sociale nga qytetarët, prandaj qeveria e ka trajtuar me urgjencë situatën.
Sistemi është stabilizuar, kishte njoftuar ministria më 15 gusht “falë bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH)”.
Bashkëpunimi me Shqipërinë ishte një masë emergjentë, por është njoftuar se “do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi”.