Trembëdhjetë njerëz kanë gjetur vdekjen dhe dy fëmijë janë lënduar rëndë pasi një kabinë teleferiku ra në një mal pranë Liqenit Maggiore në Italinë Veriore të dielën.
Sipas medieve të huaja aksidenti ndodhi në një shërbim që transportonte pasagjerë nga qyteti turistik, Stresa, deri në malin pranë Mottarone në rajonin e Piemonte. Imazhet nga skena tregojnë rrënojat e shtrira në një zonë të pjerrët me pyje. Zyrtarët thanë se dy të mbijetuar, të moshës pesë dhe nëntë vjeç, u dërguan me helikopter në një spital të Torinos.
Zyrtarët e shpëtimit alpin konfirmuan në një cicërimë në Twitter të dielën në mbrëmje se numri i fundit i të përfshirëve ishte 13 të vdekur dhe dy të plagosur, pasi numri i të vdekurve u rrit në mënyrë të vazhdueshme në orët pas aksidentit ndërsa rrënojat u kontrolluan.
Si ndodhi aksidenti?
Shkaku i incidentit mbetet i paqartë, por raportet lokale sugjerojnë që kablloja që mbante kabinën mund të ketë dështuar rreth 300 metra nga maja e malit. Shërbimet e urgjencës thonë se ata u njoftuan menjëherë pas orës 12:00 me kohën lokale të dielën.
Zyrtarët e policisë dhe zjarrfikësve ishin midis atyre që u përgjigjën, me ekipet e shpëtimit që përballen me një vend përplasjeje në terren të pjerrët dhe të vështirë. Walter Milan, një zëdhënës i shpëtimit alpin, i tha rrjetit televiziv RaiNews24 se kabina e teleferikut ishte “ndrydhur e tëra” pasi kishte rënë nga një lartësi e madhe.