Enis Mjaku nga Shtabi Zgjedhor i LV-së në Kaçanik, po akuzon kryesuesin e PDK-së në qendrën e votimit në fshatin Kovaçevc të kësaj komune se nuk po ia lejon atyre që si parti t’i vendosin dy vëzhgues me një klasë.
Ai po pretendon se një gjë e tillë është ligjërisht e lejueshme, çka ka nxitur debat mes tij dhe kryesuesit PDK-së.
“Unë jam edhe përgjegjës i Departamentit Ligjor dhe e di rregulloren shumë mirë që na lejon dy vëzhgues me një klasë. Partitë e tjera, përveç partive që janë në garë në balotazh, nuk kanë vëzhgues, kanë vetëm komisionarë. Do të thotë, janë dy vëzhgues prej partisë aktuale që është në pushtet dhe dy vëzhgues prej partisë sonë,” – u shpreh Mjaku në një prononcim për ATV-në.
Ai tregoi se arsyetimi i kryesuesit të PDK-së qëndron në atë se njëri prej vëzhguesve që ka tentuar të futej në njërën nga klasat ku po votohet, ka ardhur me vonesë, por që sipas Mjakut kjo nuk përbën problem dhe se një gjë e tillë nuk përbën shkelje e as parregullsi.
ATV ka siguruar pamje nga momenti i tensionimit të situatës, por vazhdimisht është penguar nga menaxheri i kësaj qendre votimi i cili nuk ka lejuar që të bëhet regjistrimi i ngjarjes.
Më poshtë e gjeni momentin e tensionimit të situatës në këtë qendër votimi në Kovaçevc të Kaçanikut.