Mëngjesi i kësaj të shtune ka nisur me fluks të madh të veturave në pikën kufitare të Morinës, në hyrje-dalje mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Fluksi më i madh është regjistruar nga ora 05:00 deri në 07:00, ndërsa herë pas here janë krijuar kolona të gjata të veturave, deri në territorin e Kosovës, raporton Abcnews.al.
Shumë qytetarë të Kosovës po e shfrytëzojnë fundjavën e fundit të gushtit për të pushuar në bregdetin shqiptar, para fillimit të vitit të ri shkollor më 1 shtator.
Për automjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë po zbatohet procedura e përshpejtuar, pa kontrolle të zakonshme kufitare. Kjo procedurë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.
Në kufirin Kosovë-Shqipëri janë gjithsej pesë pika kufitare, si dhe 22 vendkalime të lehtësuara për banorët që jetojnë në zonën kufitare.
