Kamberi tregon nëse do të pranojë ftesën e Serbisë për ndryshimin e Kushtetutës

Kamberi tregon nëse do të pranojë ftesën e Serbisë për ndryshimin e Kushtetutës

Pas thirrjes së zyrtarëve të Serbisë që përfaqësuesit e shqiptarëve të marrin pjesë në ndryshimin e Kushtetutës – pjesës për drejtësinë – shefi i grupit parlamentar SDA Sanxhak – Lugina e Bashkuar, Shaip Kamberi, tha për Radion Evropa e Lirë se ai do të merrte pjesë në propozimet për të ndryshuar këtë pjesë të aktit më të lartë juridik, porse nuk i mbështet ndryshimet e pjesshme.

“Nëse procedura e ndryshimit të Kushtetutës tashmë ka filluar, do të ishte më mirë të ndryshohej e gjithë Kushtetuta, sesa vetëm një pjesë e caktuar”, tha Kamberi, për të shtuar se ndryshimet janë të nevojshme edhe në pjesë të tjera të Kushtetutës, me qëllim harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me atë evropian.

Serbia, në kuadër të procesit të integrimit në BE, është zotuar se do të ndryshojë pjesën për drejtësinë në Kushtetutë, për të siguruar pavarësinë e saj.

Në seancën e 7 qershorit, deputetët e Parlamentit të Serbisë miratuan propozimin e qeverisë për të ndryshuar Kushtetutën në këtë pjesë. Referendumi mbi ndryshimet pritet të mbahet në vjeshtë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve nga jugu i Serbisë votuan kundër propozimit të qeverisë.

Çfarë sugjerojnë përfaqësuesit shqiptarë?

Kamberi tha se nisma për të ndryshuar Kushtetutën e Serbisë “nuk është e menduar mirë, sepse ajo u referohet ndryshimeve që duhet të harmonizojnë legjislacionin e brendshëm në fushën e drejtësisë dhe ato kanë të bëjnë me Kapitujt 23 dhe 24”.

Sipas tij, i gjithë legjislacioni i brendshëm duhet të harmonizohet me atë evropian, përfshirë Kapitullin 35, i cili u referohet negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kapitulli 35 përfshin të gjithë procesin e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, përkatësisht zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Nëse shkon kështu me nga dy-tre kapituj, atëherë do të kalojnë dekada derisa legjislacioni i brendshëm dhe Kushtetuta të harmonizohen me Bashkimin Evropian. Mendoj se nuk duhet shpenzuar as kohë, as energji, as mjete”, tha Kamberi.

Sipas tij, propozim i përfaqësuesve shqiptarë është hapja e një debati publik në nivel kombëtar për çështjen e ndryshimit të Kushtetutës, sepse “debati në kuvend nuk është i mjaftueshëm”.

Duhet të përfshihen të gjithë aktorët, si dhe përfaqësuesit e pakicave, u shpreh Kamberi.

Një ankesë e shqiptarëve me Kushtetutën aktuale të Serbisë është edhe përcaktimi i Serbisë si shtet i popullit serb.

Kamberi, në një fjalim në Kuvendin e Serbisë më 7 qershor, ka përmendur si ilustrim përkufizimin e Kosovës si shtet të të gjithë qytetarëve dhe ka thënë se në Serbi jetojnë shumë pakica.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka reaguar ndaj fjalimit të Kamberit, duke thënë se nuk është në rregull që në Kuvendin e Serbisë të përmendet Kushtetuta e Kosovës, sepse për institucionet e Serbisë, “Kosova është krahinë autonome”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kamberi tha se nëse Serbia “konceptohet si një shtet i popullit serb dhe të tjerëve që jetojnë atje, kjo do të thotë që ne kemi popuj të rendit të parë dhe të dytë”.

Related Articles