Kamerat e vendosura afër objektit të Policisë Rajonale në Veri të Mitrovicës kanë qenë jashtë funksionit për një periudhë të martën mbrëma. Për motive akoma të panjohura, dy persona të maskuar dyshohet se kanë dëmtuar kabllot dhe më pas janë zhdukur, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se tashmë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, pasi mbrëmë u zbulua se dy të dyshuar kishin dëmtuar kamerat.
Në bazë të informacioneve të para, posa është vërejtur se nuk po shfaqen pamjet e kamerave të vendosura në udhëkryq, kanë intervenuar njësitë përkatëse në vendin e ngjarjes. Aty, kabllot u gjetën të këputura, ndërsa janë bërë ekzaminimet e nevojshme.
Siç merr vesh Sinjali, të dyshuarit kanë qenë të maskuar dhe kanë pasur disa litarë, që dyshohet se kanë përdorur për të kryer veprën.
Pas përfundimit të procedurave, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si dëmtim i pronës së luajtshme.