Një aksident i rëndë është regjistruar paraditen e sotme në zonën e Portit të Durrësit, ku një kamionist nga Kosova ka mbetur i plagosur rëndë pas përplasjes me një automjet tjetër të tonazhit të rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në momentin kur drejtuesi i kamionit kishte dalë nga mjeti i tij, ndërsa është goditur nga një tjetër automjet që po lëvizte në zonën portuale.
Si pasojë e përplasjes, kamionisti ka pësuar lëndime të shumta dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr trajtim mjekësor. Burime nga spitali bëjnë të ditur se gjendja e tij shëndetësore paraqitet kritike.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë dalë forcat e rendit, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Autoritetet po punojnë për dokumentimin e rastit dhe sqarimin e dinamikës së përplasjes.
