Kampioni në fuqi s’ka të ndalur, Ballkani triumfon ndaj Dukagjinit

Kampioni në fuqi s’ka të ndalur, Ballkani triumfon ndaj Dukagjinit

Skuadra e Ballkanit ka mposhtur Dukagjinin në ndeshjen e fundit të xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në futboll, të luajtur në Suharekë.

Të hënën, Ballkani triumfoi me rezultatin 3:1 për t’u forcuar në krye të tabelës me 32 pikë, 7 më shumë se Drita, ekip që ka edhe dy ndeshje më shumë të zhvilluara. Ballkani kaloi herët në epërsi, duke e zhbllokuar rezultatin pas vetëm 15-të minutave lojë. Ishte mesfushori Nazmi Gripshi, ai që shënoi për 1:0.

Megjithatë, Dukagjini nuk u dorëzua dhe u kundërpërgjigj në fund të pjesës së parë. Në minutën e 44-të, mesfushori Vitor Hugo barazoi me një gjuajtje të fortë prej rreth 20 metrave, duke përfituar nga një top i kthyer. Në pjesën e dytë, Ballkani shënoi edhe dy gola të tjerë për t’i dhënë fund dilemës së fituesit.

Fillimisht, Almir Kryeziu e riktheu epërsinë e Ballkanit me golin e shënuar nga distanca në minutën 49-të, përpara se fitoren ta vulos Bleart Tolaj. Tolaj realizoi në minutën e 90-të me kokë, me ndihmën e njërit prej mbrojtësve të Dukagjinit. Për Dukagjinin, kjo është disfata e tretë këtë edicion dhe e para pas një serie prej 11 ndeshjeve pa humbje. Në fakt, për Ballkanin kjo ishte fitorja e parë ndaj Dukagjinit pas katër barazimeve rresht me rezultatin 1:1. Dukagjini mbetet i gjashti në tabelë me 17 pikë të mbledhura.

Related Articles