Skuadra e Dritës do të përballet me Ballkanin të enjten nga ora 15:00, në kuadër të xhiros së 31-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Gjilanasit pozicionohen në vendin e dytë me 55 pikë, 11 pikë më pak se suharekasit.
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani në një intervistë me shkrim për Gazetën Enigma, ka tëhënë se ndaj Ballkanit do të luajnë për fitore.
“Ne e dimë që do të kemi përballë skuadër shumë të fortë dhe do të luajmë si të ishte ndeshja më e rëndësishme e kampionatit për të treguar forcën dhe kualitetin që kemi”, thotë Limani.
I pyetur se cilat janë gjasat e Dritës për titullin kampion, kapiteni i Dritës tregohet realist duke thënë se kanë pak gjasa.
“Matematikisht jemi në garë, por nëse jemi realist vetëm ndonjë mrekulli mund të na shpall kampion, pasi Ballkani duhet të lëshoj 12 pikë nga 18 të mundshme”, vlerëson 28-vjeçari gjilanas.
Ish-futbollisti i Feronikelit thotë se Drita gjithmonë luan për tituj, synimi i tyre në fillim të sezonit ishte titulli kampion dhe Kupa e Kosovës. Ai thotë se fitimi i Kupës së Kosovës për Dritën do të ishte një përfundim i sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Drita gjithmonë luan për tituj. Synimi ishte titulli kampion dhe Kupa e Kosovës. Praktikisht titullin e kemi të pamundur, por e kemi arritur finalen e kupës, e në rast se e fitojmë do të ishte një sezon i mirë për ne, sepse çdo trofe është i rëndësishëm”, thotë Ardian Limani.
Drita do të përballet në finalen e Kupës së Kosovës me Llapin. “Intelektualët” rrugëtimin për në finale të kupës nuk e patën aq të vështirë, pasi në gjysmëfinale u përballen me skuadrën e Ligës së Parë, Ramiz Sadikun që e eliminuan me lehtësi.
Më 21 maj në stadiumin “Fadil Vokrri” do të përballen Drita – Llapi për ta kërkuar triumfin në Kupën e Kosovës.
Të dy skuadrat e kërkojnë trofeun e dytë, Drita kishte triumfuar në sezonin 2000/2001, kurse Llapi triumfoi në vitin e kaluar.
Për kapitenin Ardian Limani kjo do të jetë hera e parë që luan në një finale të Kupës së Kosovës. Limani thotë se ky trofe ka vlerë të madhe për të dhe të gjithë klubin.
“Për mua finalja e Kupës së Kosovës do të jetë e para në karrierë, por edhe për presidentët është hera e parë dhe gjithnjë ka qenë dëshirë e madhe për ta fituar. Çdo trofe i fituar për secilin futbollist ka shumë vlerë dhe ne do të luftojmë për atë”, thotë lideri i Dritës.
Limani nuk është i kënaqur vetëm me daljen në garat garat europiane, ai kërkon nga bashkëlojtart e tij që t’i sjellin trofe Dritës.
“Objektivi ynë është dalja në Europë duke fituar trofe. Me skuadrën që kemi nuk mjafton vetëm dalja në Europë, por duhet të sjellim në trofe në klub që të shpaguhet çdo sakrificë e secilit prej nesh”, shprehet i bindur kapiteni i Dritës.
Nga 30 xhiro në Superligë, kapiteni Ardian Limani ka qenë i padiskutueshëm në formacionin bazë të trajnerit Ardian Nuhiu duke i luajtur 28 ndeshje, përveç këtyre paraqitjeve, 28-vjeçari i ka bërë edhe katër paraqitje në garat europiane dhe katër tjera në Kupën e Kosovës, duke treguar formën e tij të mirë që po e kalon në këtë sezon.
Mbrojtësi i krahut të djathtë ka treguar për Gazetën Enigma se çka po e mbanë në formë sezon pas sezoni duke e hipotekuar pozitën e tij.
“Unë gjithmonë fokusohem që të punoj fortë çdo ditë në stërvitje dhe të jap maksimumin në çdo ndeshje. Për vite me radhë më është shpërblyer duke fituar trofe kolektiv e individual. Unë e njohë thellë filozofinë e skuadrës, por edhe qëndrimi i gjatë në klub i një trajneri të vetëm do të thotë shumë, sepse e kupton në thelb çdo detyrë apo ide që ai të jep në ndeshje të caktuara. Megjithatë, puna është çelsi i çdo suksesi”, përfundon kapiteni i “Intelektualëve”.
Ardian Limani e nisi sezonin në qytetin e lindjes së tij në Gjilan në akademinë e Dritës. Me Dritën debutoi në vitin 2013 ku qëndroi deri në vitin 2016 për t’iu bashkuar Feronikelit.
Te Feronikeli qëndroi vetëm për një sezon për t’u kthyer te Drita në verën e vitit 2017 e për t’a vazhduar rrugëtimin me skaudrën gjilanase deri më sot./GAZETA ENIGMA/