Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë më 28 maj do të jetë nikoqir i një ndeshje të madhe e cila edhe i vendos kapakun edicionit të sivjetmë në Superligë.
Vushtrria e Malisheva ndeshën në sfidën vendimtare e cila do të përcaktojë se cila skuadër do të luajë në edicionin e ri në elitën e futbollit kosovar, shkruan Demokracia.com.
Vushtrria e cila vjen nga Liga e Parë ndeshet me Malishevën e Superligës e cila mbeti në barazh pas një lufte të madhe që pati me Prishtinën, Drenicën e Dukagjinin.
Malisheva llogaritet favorite pasi ishte në një kategori më lartë, por Vushtrria si skuadër me traditë asnjëherë nuk dorëzohet dhe këtë takim beson se do ta fitojë për ta prekur Superligën.
Ylli i kësaj skuadre Labinot Osmani, i cili ishte edhe më meritori në ndeshjen me Lirinë ku e mundi në barazhin e Ligës së Parë, beson se edhe këtë herë ekipi i tij do të jap më të mirën dhe do ta gëzojë një qytet të tërë i cili në ankth po e pret këtë ndeshje.
“Me Lirinë arritëm fitore të madhe që na mundësoi të luajmë shanset tona në ndeshjen finale me Malishevën. Kemi luajtur 120 minuta në një atmosferë të mrekullueshme dhe në fund u desh të presim ekzekutimin e penalltive që ishin në favorin tonë”, ka thënë Osmani për Demokracia.com
Një tjetër fakt që e qon Malishevën në përparësi përballë Vushtrrisë është se vushtrriasi në ndeshjen e fundit luajtën 120 minuta dhe skuadra sigurisht që mund të ndjejë lodhje, por Osmani beson se deri në ndeshje do të jenë plotësisht të gatshëm.
“Normal që pas 120 minutave ekipi mund të ndjen pak lodhje por që gjatë javës do të rikuperohemi. Shpresoj që në ndeshje me Malishevën të bejmë një lojë të madhe dhe në fund t’i gëzohemi Superligës edhe pse nuk do të jetë e lehtë pasi Malisheva ka një ekip mjaft të mirë dhe me përvojë në futbollin e Kosovës por që ne do të japim maksimumin që të dalim fitues”, vlerësoi ‘bomberi” vushtrrias i cili po shpreson se takimin të mbyllin brenda 90 minutave dhe mos të shkojë në vazhdime, por edhe nëse ndodh ata janë gati edhe për këtë..
“Në këto ndeshjet e barazhit asnjëherë nuk mund ta parashikosh rrjedhjen e ndeshjes pasi që janë sikur një finale, për ketë arsye nuk e di a do të ketë vazhdime apo do të përfundon ndeshja gjatë kohës së rregullt”, përfundoi Labinot Osmani.