Kapiteni, Lapidar Ladrovci do të largohet nga skuadra e Feronikelit ’74.
Ai do të luaj ndeshjen e fundit, të shtunën, kundër Prishtinës, e cila zhvillohet në stadiumin ”Rexhep Rexhepi” në Drenas, më fillim nga ora 16:00.
Feronikeli përmes një njoftimi, ka bërë thirrje tifozëve të mbushin stadium në nderim të lamtumirës së kapitenit.
”Jo vetëm që është ndeshja e fundit si vendas për këtë sezon, por edhe momenti i fundit në shtëpi për një prej figurave më të mëdha të historisë së klubit tonë – kapitenin Lapidar Lladrovci.
Lapidari nuk largohet vetëm si kapiten, por si KAMPION ABSOLUT.
Ai është një prej ikonave të klubit që i ka fituar të gjitha trofetë me fanellën e Feronikelit – tituj kampioni, kupa e superkupa – gjithmonë me përkushtim, lidership dhe shpirt luftarak.
Vitet e tij në fushë janë histori suksesi, frymëzimi dhe krenarie. Ai nuk e mbrojti vetëm mbrojtjen – ai mbrojti emblemën, ngjyrat, dhe gjithçka që Feronikeli përfaqëson.
Lapidari nuk është thjesht një futbollist. Ai është simbol i besnikërisë, sakrificës dhe krenarisë që përfaqëson ky klub.
Me vite të tëra në shërbim të Feronikelit, ai ishte zëri, zemra dhe shpina e skuadrës në çdo betejë.
Ai ishte aty në ditët më të mëdha dhe më të vështira – gjithmonë i pari në betejë, gjithmonë i fundit që dorëzohej.
Të mbushim stadiumin dhe t’i japim Lamtumirën që meriton një LEGJENDË dhe një FITUESI të madh.
Faleminderit, Kapiten – për çdo trofe që na dhe, për çdo moment krenarie që na fale.
Për ne, do të jesh gjithmonë kapiteni i kampionëve.”, thuhet në njoftimin e Feronikelit ’74.