Në orët e para të së dielës, Turqinë dhe Sirinë i tronditi një tërmet i madh prej 7.8 ballësh.
Shumë vende të botës janë mobilizuar për t’i dal në ndihmë Turqisë, e në mesin e tyre është edhe Kosova.
Një kontigjent i kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë janë dërguar në Turqi, për t’i dal në ndihmë popullsisë.
Sipas ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati, ushtarët e Kosovës janë tejet të përgatitur.
Kastrati tha për Klankosova.tv se ata janë liderë në fushën e kërkim-shpëtimit.
“Ushtarët e Kosovës janë tejet të përgatitur në fushën e kërkim-shpëtimit. Ata janë liderë në rajon sa i përket kësaj. Ne e kemi Qendrën Rajonale të kërkim-shpëtimit në Pomozetin dhe si vend jemi të gatshëm të ofrojmë trajnime edhe për ushtritë e rajonit”, tha Kastrati.
“Ushtarët e FSK-së janë shumë të trajnuar për kërkime në gërmadha, ujë dhe bjeshkë. Ju e dini që edhe me rastin e tërmetit në Shqipëri, ushtarët tanë kanë ofruar ndihmë jashtëzakonisht të madhe dhe janë treguar më të mirët. FSK i ka të trajnuar edhe njësitin e qenve K9, të cilët janë mjaft të mirë për kërkim në gërmadha”, theksoi ai.
“Ushtria e Kosovës edhe si mision në bazë të detyrimeve e ka pjesëmarrjen në misione paqëruajtëse dhe humanitare”, shtoi ish-numri një i FSK-së.
Forca e Sigurisë ka marrë pjesë edhe në misione të tjera humanitare, siç ishte tërmeti që goditi Shqipërinë, në muajin nëntor të vitit 2019, ku si pasojë vdiqën mbi 50 persona.
Klankosova.tv ka pyetur në Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me të dhënat për pjesëmarrjen e FSK-së në misionet humanitare dhe është në pritje të një përgjigjeje.
Tërmeti në Turqi ka shkaktuar numër të madh të viktimave dhe të plagosurve.
Raportohet se deri më tani kanë vdekur mbi 5 mijë persona dhe janë plagosur mbi 15 mijë të tjerë.