KDI: Kompania që u fut të listë të zezë për testet për COVID, fiton një kontratë tjetër

KDI: Kompania që u fut të listë të zezë për testet për COVID, fiton një kontratë tjetër

Më 1 shkurt të vitit 2021, kompania Interlab Sh.P.K, është futur në Listën e Zezë të operatorëve ekonomikë, me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Duke u bazuar në rregullat e prokurimit ato përcaktojnë që kompanitë që futen në listë të zezë nuk kanë të drejtë të ofertojnë apo të fitojnë kontratë për një periudhë deri një vjeçare.

Mirëpo, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka bërë të ditur se kjo kompani, më 13 janar të vitit 2022 ka fituar një kontratë në vlerë prej rreth 350 mijë dollarë nga UNOPS – “organizatë kjo të cilën Qeveria e Kosovës e kontraktoi për të menaxhuar me blerje të disa produkteve dhe shërbimeve për të luftuar pandeminë COVID-19”, ka thënë KDI.

Duke shprehur shqetësimin që prokurimet të cilat realizohen përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), duhet të përfillin rregullat dhe ligjet e Kosovës, sepse nëse në të kundërtën ato do mund të nxisin kompanitë e papërgjegjshme të tentojnë të marrin kontrata.

Gjithashtu, KDI ka sqaruar çështjen edhe më tej.

“Gjatë vitit 2020, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar disa kredi ndërkombëtare me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i cili është pjesë e Bankës Botërore. Sipas marrëveshjes, prokurimi i disa produkteve mjekësore ka kaluar tek Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS)”.

“Për të menaxhuar me shërbimet e prokurimit në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova do t’i paguajë UNOPS-it një buxhet prej rreth një milion Euro. Megjithatë, sipas marrëveshjes UNOPS realizon prokurimet duke zbatuar procedurat e saj të prokurimit dhe jo Ligjin për Prokurim Publik. përkundër që blen me para nga buxheti i Kosovës”.

KDI-ja i ka propozuar Ministrisë së Shëndetësisë, që si implementuese e projektit “Projekti Emergjent Covid-19 për Kosovën” të punojë ngushtë me UNOPS dhe të kërkojë që gjatë blerjeve të merren parasysh ligjet e Republikës së Kosovës, sidomos Ligji për Prokurimin Publik dhe dispozitat që rregullojnë diskualifikimin dhe përshtatshmërinë e operatorëve ekonomik.

Related Articles