KDI mbi Ligjin për Këshillin Prokurorial: Ekzekutivi të mos sfidojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese

KDI mbi Ligjin për Këshillin Prokurorial: Ekzekutivi të mos sfidojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Për dy vite që nga ardhja në pushtet, Qeveria Kurti ka iniciuar reformë në sistemin e drejtësisë, me qëllim të përmirësimit të performancës dhe rritjes së integritetit të institucioneve të drejtësisë.

Reforma në drejtësi përveç ndryshimit të disa ligjeve ekzistuese, mëton të sjellë ndryshime rrënjësore të manifestuara përmes iniciativave kapitale si procesi i vetingut, Byroja për konfiskimin civil të pasurisë dhe Këshilli Prokurorial.

Këto iniciativa, në parim, shihen të nevojshme për reformimin e sistemit të drejtësisë, si dhe rritjen e efikasitetit të sundimit të ligjit në vend – elemente këto të vlerësuara negativisht përgjatë viteve të fundit nga qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare.

Për shkak të ndjeshmërisë dhe peshës që këto ndryshime ligjore pritet të sjellin në sistem por edhe në praktikë, të njëjtat do të duhej të ishin zhvilluar në një frymë më konsensuale dhe gjithëpërfshirëse me akterët relevant. Si rrjedhojë e kësaj, por edhe kundërshtimeve nga ana e partive opozitare, disa prej këtyre iniciativave janë kontestuar pranë Gjykatës Kushtetuese. Në këtë drejtim, të premten e kaluar, Gjykata Kushtetuese ka publikuar njoftimin lidhur me Projektligjin për Këshillin Prokurorial, me anë të së cilit, është bërë e ditur që projektligji në fjalë është shpallur jo-kushtetues dhe i pavlefshëm në tërësinë e tij.

Duke qenë instanca e vetme për interpretimin e kushtetutshmërisë së ligjeve, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet, andaj ato duhet zbatuar pa asnjë rezervë. Në këtë frymë, bartësit e institucioneve nuk do të duhej të lëshoheshin në komentime apo kontestim të vendimeve të Kushtetuese.

Megjithatë, pas publikimit të njoftimit nga ana e Gjykatës lidhur me projektligjin për KPK-në, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me anë të një konference për media, ka atakuar njoftimin e Gjykatës, duke vënë në dyshim jo vetëm përmbajtjen e vendimit por edhe mospublikimin e deritanishëm të tij. Një qasje e tillë e ekzekutivit në kontestimin publik të vendimeve të gjyqësorit – vlerësojmë që përbën ndërhyrje në pavarësinë e sistemit gjyqësor, por edhe cenon parimin kushtetues të ndarjes, balancimit dhe kontrollit të pushteteve.

Duke qenë se Gjykata Kushtetuese i ka në proces të shqyrtimit edhe disa projektligje tjera të rëndësishme, kërkojmë nga zyrtarët e ekzekutivit që të përmbahen nga çfarëdo komentimi apo sfidimi publik i vendimeve të Kushtetueses.

Pas publikimit të aktgjykimit të plotë, ekzekutivi duhet t’i marrë parasysh të gjitha vërejtjet e Gjykatës, gjatë hartimit potencial të projektligjit të ri për KPK-në. Respektimi i kushtetutshmërisë dhe i parimit të ndarjes së pushteteve në demokraci duhet të jenë imperativ për të gjitha institucionet në vend.

Related Articles