Kompania turke për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë po ankohet se për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë në tregjet globale ia ka rritur koston e importit.
Kjo kompani, që privatizoi distribucionin, ka njoftuar se gjatë tetorit të këtij viti, përkundër motit të mirë ka importuar 9,15 milionë euro energji elektrike.
KEDS e ka konsideruar rritje enorme, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, që importi ishte, sipas tyre, vetëm 1.5 milionë euro.
“Kjo rritje ka rrjedhur nga çmimet ekstreme dhe rritjes së kërkesës. KEDS dhe KESCO ka blerë gjatë tetorit energji elektrike me çmim mesatar prej 242 euro për megavat/orë, një rritje prej gati pesëfish nga tetori i vitit 2020”,
“Kur energjia elektrike ishte importuar me çmim mesatar prej 49 eurosh për megavat/orë. Konsumi është rritur për 18 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në komunikatën për media.
Për shkak të rritjes së konsumit KEDS dhe KESCO është detyruar që të importojë gjatë muajit tetor 37,753 megavat orë energji elektrike.
Trendi i rritjes së konsumit ka vazhduar edhe gjatë nëntorit, sikurse edhe blerja me çmime të larta, madje mbi ato të muajit tetor.
KEDS dhe KESCO paralajmëron se rënia e temperaturave pritet të rrisë tutje konsumin dhe si rrjedhojë edhe nevojën për import shtesë, pasi prodhimi vendor është i kufizuar, prandaj apelon për kursim të energjisë.
“Kështu llogaritet të ketë kosto astronomike dhe të papërballueshme jo vetëm për KEDS dhe KESCO por për të gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, kursimi maksimal dhe përdorimi i formave alternative për ngrohje, është i domosdoshëm në të gjithë vendin”.