KEDS e len në terr paguesin e saj të rregullt për vetëm 53 euro borxh

KEDS e len në terr paguesin e saj të rregullt për vetëm 53 euro borxh

Qytetari me shifrën 81551 nga qyteti i Gjilanit, pagues i rregullt i energjisë elektrike në KEDS për vetëm 53 euro borxh mbetet pa rrymë, shkruan Gazeta Enigma.

Gjilanasi me inicialet A.S. ka lajmëruar në redaksinë e Gazetës Enigma se sot nga ora 14:00 nuk ka energji elektrike. Fillimisht ai ka menduar se ka ndërprerje të rrymës deri në momentin që është errësuar dhe ka parë tek fqinjët e tij që ka rrymë.

Tutje ai ka rrëfyer se vajza e tij sot ka kontaktuar me KEDS-in disa herë.

Fillimisht asaj i është thënë se do të shikojnë në sistem dhe ta lajmërojnë, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Ajo përsëri ka thirrur në KEDS, këtë herë i është thënë se rryma është ndërprerë për shkak të borxhit të vetëm 53 euro e disa centa.

Asaj i është thënë se rrymën mund ta lëshojnë vetëm nëse kryhet pagesa. Vajza ka pasur kontakt me këta të KEDS diku rreth orës 18:00 deri në orën 18:30. Gjatë kësaj bisede asaj i është kërkuar të kryhet pagesa dhe të thërras përsëri që ti lajmërojë për kryerjen e pagesës.

Lind pyetja a duhet qytetari ta lajmërojë një punëtor të KEDS-it që është kryer pagesa?

A nuk është punë e tij që të shikojë në sistem dhe t’i kryej procedurat që pasojnë?

Vajza i lajmëron, nga kompania i thonë se ende nuk figuron në sistem se pagesa është kryer dhe i kërkojnë që t’i telefonojë përsëri pas 15 minutave që ta shohin në sistem pagesën e kryer.

Prapë vajza telefonon, nga KEDS ia konfirmojnë kryerjen e pagesës dhe i thonë se pas pak do ta lëshojnë rrymën.

Kalon gjysmë ore dhe prapë s’ka rrym. Vajza përsëri thërret në KEDS, këtë herë ata i thonë se edhe pse është kryer pagesa rryma nuk mund ta lëshojnë deri nesër në orën 09:00 në mëngjes.

Ajo ka kërkuar sqarim për situatën e krijuar duke pasur parasysh që klienti me numër 81551 është pagues i rregullt ndaj KEDS, pse nuk ju sqarua krejt në fillim të bisedës se rryma nuk lëshohet sot.

Pagesa është kryer në ora 18:47.

Arsyetimi i punëtorit të kësaj kompanie është se nuk ka punëtor në teren dhe për këtë arsye nuk mund ta lëshojnë rrymën deri nesër në mëngjes.

Personi në fjalë ka orë digjitale dhe rryma i është ndërprerë në mënyrë kompjuterike.

Pasi ka ndodhur një gjë e tillë si ka mundësi që ndërprerja mund të bëhet në mënyrë kompjuterike e kyçja nuk mund të bëhet po në të njëjtën mënyrë?

Gazeta Enigma ka kontaktuar me personin brenda KEDS-it që ka kontaktuar edhe klienti i tyre, por ai nuk ka dhënë asnjë sqarim në lidhje me rastin, shkurt është përgjigjur se kjo është procedura e punës së tyre dhe asgjë më shumë.

Familja në fjalë ka bërë edhe ankesë dhe janë duke pritur që KEDS të merret me rastin.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles